Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi sot se rekonstruktimi i Qeverisë mund të ndodhë në çdo moment, duke theksuar se pushteti ekzekutiv do të jetë, siç tha ai, “në një sezon të përhershëm të rikonstruksioneve”.
Pas takimit me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Rosen Zhelazkov, në rezidencën “Gorica”, Spajiq theksoi se prioritet i qeverisë është mbyllja e të gjithë kapitujve negociues me Bashkimin Evropian deri në vitin e ardhshëm, me qëllim që Mali i Zi të jetë gati për anëtarësim.
“Ekonomia është në rritje, kemi një mundësi historike për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Duhet të fokusohemi në këto çështje madhore, jo në tema periferike dhe pa rëndësi,” tha Spajiq.
Ai shtoi se me Kryeministrin bullgar ka biseduar për tema kyçe në fushën e ekonomisë dhe diplomacisë, si dhe për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe në nivele të ndryshme.
Zhelazkov theksoi se Bullgaria mbështet fuqimisht rrugën evropiane të Malit të Zi dhe ndau përvojën e vendit të tij në këtë proces.
“Mali i Zi është në një moment historik, njësoj siç ishte Bullgaria në të kaluarën kur hyri në BE,” tha ai.
Një nga temat e diskutimit ishte edhe përmirësimi i tregut digjital mes Italisë dhe Malit të Zi, ku u përmend se ekziston një kabllo nëndetës që ende nuk është vënë në funksion.
Në kuadër të këtij takimi, u nënshkrua një marrëveshje për bashkëpunim shkencor dhe teknologjik ndërmjet dy qeverive, ndërsa ministrat e transportit nënshkruan një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e aviacionit.