SEANCA E PARË E LEGJISLATURËS SË RE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË DO TË MBAHET MË 12 SHTATOR

Mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë do të mbahet më 12 shtator 2025, transmeton Anadolu.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka nënshkruar dekretin për thirrjen e mbledhjes së parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, e dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Në një njoftim të publikuar nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Begaj e konsideron hapjen e legjislaturës së re një faqe të re në jetën institucionale të Republikës së Shqipërisë.

“Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane. Legjislatura e re ka përgjegjësinë e vazhdimit të reformave, ndërlidhjes së funksionit ligjvënës me prioritetet dhe sfidat e vendit, përditësimit të vazhdueshëm të legjislacionit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së qeverisjes, respektimit të normave kushtetuese, transparencës, diskutimeve konstruktive, bashkëpunimit, si dhe vendimmarrjes me urtësi në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, interesave dhe të ardhmes së vendit”, thuhet në mesazhin e Presidentit Begaj.

Begaj ka theksuar se prioriteti madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët dhe vendi, si ato të sigurisë, drejtësisë, demografisë, ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme.

SHARE