Foto: Ilustrim
Edhe pse një pjesë e madhe e punës për reformën zgjedhore është përfunduar, anëtarët e Komisionit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore thonë se sfidat më të mëdha ende nuk kanë ardhur.
Qëllimi kryesor, sipas tyre, është krijimi i kushteve për pastrimin e listës së votuesve deri në zgjedhjet e vitit 2027.
Megjithatë, ata paralajmërojnë se disa parti politike mund të pengojnë këtë proces.
Deputeti i Lëvizjes Evropa Tani, Vasilije Çarapiq, tha se bëhet fjalë për një ndërmarrje logjistike shumë të madhe:
“Zgjedhjet do të mbahen më 13 qershor 2027. Deri atëherë duhet të zgjidhim çështjen e listës së votuesve nga aspekti logjistik, ndërsa deri në fund të këtij viti duhet të krijojmë kushtet ligjore për realizimin e kësaj nisme të madhe”, tha Çarapiq.
Deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, Zoran Mikiq, vuri në dukje mospërputhjen mes numrit të banorëve dhe numrit të votuesve në Mal të Zi.
Ai theksoi se, sipas regjistrimit, vendi ka rreth 620.000 banorë, nga të cilët rreth 20% janë të huaj, ndërsa në listën e votuesve janë të regjistruar pothuajse 550.000 persona me të drejtë vote.
“Është e qartë që diçka nuk përputhet. Duhet të krijojmë bazën ligjore që personat që nuk e plotësojnë më kushtin për të qenë në listën e votuesve, të mund të fshihen nga ajo listë”, deklaroi Mikiq.
Çarapiq shtoi se, përveç kohës së gjatë që kërkon zbatimi, kjo çështje është shumë e ndjeshme politikisht.
“E kemi parë se në të kaluarën ka munguar vullneti për ta zgjidhur këtë çështje, dhe besojmë hapur se për disa subjekte politike në Mal të Zi, lista e paazhornuar e votuesve është pjesë e strategjisë së tyre zgjedhore”, theksoi ai.
Pritet që deri në fund të vitit të miratohen ndryshimet ligjore që do të mundësojnë përditësimin dhe pastrimin e listës së votuesve, si hap i domosdoshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vitin 2027.