OSMANI DO T’I DREJTOHET GJYKATËS KUSHTETUESE PËR ÇËSHTJEN E KONSTITUIMIT TË KUVENDIT TË KOSOVËS

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Siç ka konfirmuar këshilltari i presidentes për media, Bekim Kupina, presidentja Osmani do t’i drejtohet më 9 shtator Gjykatës Kushtetuese, sipas afatit të përcaktuar.

“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator 2025. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator 2025”, tha Kupina.

Këshilltari i presidentes së Kosovës nuk ka dhënë hollësi lidhur me përmbajtjen e komenteve që Osmani do t’ia dërgojë nesër Kushtetueses, por shtoi se “qëndrimi i presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet të ketë të drejtën të bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin”.

SHARE