MILLATOVIQ: MALI I ZI DUHET TË MBETET NJË SHOQËRI QYTETARE QË PROMOVON LIRINË ARTISTIKE DHE SHUMËLLOJSHMËRINË KULTURORE

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se me shfaqjen e përsëritur të filmit „Lejlek“, është dërguar një mesazh i qartë se Mali i Zi është dhe duhet të mbetet një shoqëri qytetare në të cilën respektohet liria e shprehjes artistike, diversiteti kulturor dhe respekti i ndërsjellë.

“Ky film i shkëlqyer malazez, i xhiruar në gjuhën shqipe dhe që trajton tema universale, tregon pasurinë e harmonisë sonë multietnike. Në një vend ku respektohen dhe çmohen të gjitha gjuhët, kulturat dhe besimet, nuk ka vend për ndasi. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një Mal të Zi modern, demokratik dhe evropian,” tha Millatoviq.

Ai theksoi se kultura duhet të jetë hapësirë bashkimi, e jo ndarjeje.

“Prandaj, jotoleranca dhe mosdurimi nuk duhet të fitojnë. Asnjëherë,” ishte mesazhi që përcolli Presidenti Jakov Millatoviq.

SHARE