Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka caktuar një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit për datën 15 shtator, me fillim në ora 11:00, ku pika kryesore e rendit të ditës do të jetë propozimi për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.
Seanca është thirrur me kërkesë të Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili ka propozuar avokaten Mirjana Vuçiniq për këtë post të rëndësishëm.
Sipas njoftimit nga Kabineti i Presidentit, Millatoviq e ka paraqitur zyrtarisht propozimin për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese në Kuvend, duke u mbështetur në dokumentacionin që dëshmon përmbushjen e kushteve ligjore dhe në rezultatet e intervistave me kandidatët.
“Duke u bazuar në provat për përmbushjen e kritereve dhe në rezultatet e bisedave me kandidatët, Presidenti Millatoviq vendosi t’i propozojë Kuvendit të Malit të Zi Mirjana Vuçiniqin, një juriste e shquar dhe avokate, për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese,” thuhet në deklaratën e lëshuar nga Kabineti i Presidentit.
Zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese kërkon një shumicë të kualifikuar në Kuvend, dhe pritet të shihet nëse kandidatja do të marrë mbështetjen e nevojshme nga deputetët.