Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka deklaruar sot se anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk është thjesht një premtim politik, por një mundësi reale dhe e prekshme.
Gjatë konferencës vjetore të ambasadorëve, Gonzato u ndal veçanërisht te skepticizmi i të rinjve, duke theksuar se Bashkimi Europian e sheh Shqipërinë si një partnere të denjë, ndërsa shtoi se të gjitha grupkapitujt e negociatave pritet të hapen.
Një ndër pikat që, sipas tij, ka ndikuar ndjeshëm në këtë progres është puna e SPAK.
Ambasadori europian e quajti “monumental” bashkëpunimin e SPAK me agjencitë europiane të zbatimit të ligjit dhe vlerësoi goditjen e rrjeteve kriminale si një sinjal i qartë se Shqipëria po ecën drejt një realiteti të ri.
“SPAK është një shembull konkret i transformimit të Shqipërisë. Kemi të bëjmë me një Shqipëri të re, që duhet ta njohim dhe ta vlerësojmë,” u shpreh Gonzato.