PRESIDENTI ITALIAN VIZITË DY DITORE NË TIRANË, MATTARELLA: E ARDHMJA E SHQIPËRISË ËSHTË NË BE

Presidenti italian, Sergio Mattarella, theksoi se Italia dhe Shqipëria janë dy vende që lidhen nga një miqësi historike, nga një dialog në nivel dypalësh shumë të fuqishëm, sipas tij, një dialog që gjen mbështetje edhe në deklaratën e përbashkët të partneritet strategjik që është nënshkruar mes dy vendeve. “Lidhja mes Italisë dhe Shqipërisë rritet dhe ushqehet më tej edhe nga prania e shumtë në numër si e komunitetit shqiptar në Itali, ashtu edhe e komunitetit italian në Shqipëri. Janë marrëdhënie që na lidhin edhe nga përkatësia jonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe shpresoj që shumë shpejt të lidhemi edhe nga përkatësia jonë e përbashkët në Bashkimin Evropian”, tha Mattarella. Ai theksoi se partneriteti strategjik mes dy vendeve është i fuqishëm edhe në aspektin ekonomik sepse shkëmbimi ynë ekonomik me të vërtetë është shumë i fuqishëm. “Ne e dimë që e ardhmja e Shqipërisë është në Evropë dhe pa Ballkanin Perëndimor bashkimi i kontinentit do të jetë i paplotë, nuk do të ishte i realizuar plotësisht”, u shpreh Mattarella. Ai shtoi se situata në Ukrainë ngjall mjaft shqetësim dhe se “Italia vazhdon të mbështesë Ukrainën, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Mattarella është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, si dhe do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të vendit.

SHARE