PA STABILITET POLITIK, VENDI NUK MUND TË ECË PËRPARA

Mali i Zi nuk mund të ecë përpara pa stabilitet politik, tha deputeti Socialdemokrat Boris Mugosha. Mugosha u tha këtë gazetarëve në Kuvend, pas një takimi me kryetaren e Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Judy Rising Reinke dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Sipas Mugoshës, takimi ka qenë cilësor dhe konstruktiv. “Mendoj se është mirë që në këto situata të flasim plotësisht hapur”, tha Mugosha. Deputetja e Partisë Socialdemokrate Draginja Vuksanoviq Stankoviq tha se rruga e Malit të Zi drejt BE-së është e vetmja e drejtë. “Për të hyrë në BE, të gjithë u pajtuam se duhet të punojmë në dialog”, tha Vuksanoviq Stankoviq. Siç tha ajo, prioritet është rruga e Malit të Zi drejt BE-së dhe ndarja e vlerave evropiane. E pyetur nëse është folur për formimin e qeverisë së re, Vuksanoviq Stankoviq tha se do të shihet se cili koncept do të avokohet, qeveri teknike apo politike, por se janë të përkushtuar edhe për zgjedhje të parakohshme. Deputeti i Partisë Boshnjake Sulo Mustafiq tha se takimi i është kushtuar situatës aktuale në Mal të Zi. „U diskutuan modele për tejkalimin e situatës në të cilën ndodhet shoqëria malazeze, me fokus dialogun”, tha Mustafiq dhe shtoi se u bisedua edhe për modelet dhe konceptet e mundshme të një qeverie të ardhshme. Siç tha ai, më e rëndësishmja është se në takim ka pasur një dialog shumë konstruktiv. I pyetur nëse presin që në seancën e ardhshme të Kuvendit të votohen katër anëtarë të Këshillit Gjyqësor, ai tha se beson se janë 49 deputetë që janë në dijeni dhe se beson se do të zgjidhen katër emra.

SHARE