SHQIPËRIA VENDI QË SHPENZON MË SHUMË PËR BUKËN

Shqiptarët harxhojnë më shumë për bukë dhe drithëra në raport me vendet e tjera të Europës në bazë të të ardhurave. Sipas Institutit Europian të Statistikave, shpenzimet për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto ishin 4.8%, në vitin 2020, duke u renditur si më të lartat në Europë. Viti pandemik ka ndikuar në këtë rritje teksa në periudhën 2016-2019, ky tregues ishte ulur në 4.7% të PBB-së. Shteti i dytë pas Shqipërisë është Rumania, me 4% të PBB-së, si shpenzime për bukë dhe drithëra, Mali i Zi, me 3.9% të GDP-së, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3.1% dhe Maqedonia me 3%. Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 220 Euro në vit, më të lartat në rajon, së bashku me Malin e Zi që është 266 Euro. Ndërsa nivelin më të ulët në rajon e ka Maqedonia përkatësisht me 157 Euro e ndjekur nga Serbia me 164 Euro. Eurostat raporton se çmimet e bukës e drithërave në Shqipëri ishin sa 70% e mesatares së Bashkimit Europian, por e matur sipas metodës së fuqisë blerëse, shqiptarëve u kushton blerja e bukës 87 herë më shtrenjtë se një europiani. Ditët e fundit disa furra buke në vend kanë rritur çmimin e bukës me 10 Lekë, duke e çuar në 80 Lekë, me një shtrenjtim rreth 14%. Anëtarë të Shoqatës të Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumrave thonë se së shpejti rritja e çmimit të bukës me 10 Lekë do të ndodhë në të gjithë tregun. Arsyeja kryesore e rritjes të çmimit të bukës është rritja e çmimit të mielllit në tregun vendas me 5 Lekë/kg që në fillim të muajit Gusht.

SHARE