NUMRI I TË VDEKURVE NGA PËRMBYTJET NË TEKSAS ARRIN MBI 100

Numri i të vdekurve nga përmbytjet e papritura që goditën Teksasin qendror në SHBA, të premten e kaluar, kaloi mbi 100.

Një numër ende i panjohur personash vazhdojnë të mbeten të zhdukur.

Ekipet emergjente vazhdojnë kërkimet nëpër brigjet e lumenjve të mbuluara me baltë, ndonëse shpresat për të gjetur të mbijetuar janë duke u zvogëluar.

Kampi Mystic – një kamp veror vetëm për vajza – konfirmoi se së paku 27 vajza dhe anëtarë të stafit janë në mesin e të vdekurve.

Dhjetë vajza të tjera dhe një këshilltar nuk janë gjetur ende.

Në Qarkun Kerr, ku edhe ndodhej kampi, vdiqën së paku 84 persona – 56 të rritur dhe 28 fëmijë – pasi lumi Guadalupe u mbush me ujë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbyti zonën.

Rreth 22 të rritur dhe 10 fëmijë nuk janë identifikuar ende, tha policia e qarkut.

Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, i hodhi poshtë deklaratat e disa kritikëve se shkurtimet buxhetore në Shërbimin Kombëtar të Motit (NWS) mund ta kenë penguar reagimin ndaj katastrofës.

“Ky ishte një veprim i Zotit”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Nuk është faji i administratës që përmbytja ndodhi në atë kohë… Kishte paralajmërime të hershme dhe të vazhdueshme dhe, prapëseprapë, Shërbimi Kombëtar i Motit e bëri punën e vet”, tha ajo.

SHARE