Foto: predsjednik.me
Në prag të 13 Korrikut – Ditës së Shtetësisë së Malit të Zi, Presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, hapi Festivalin e parë Kombëtar të Interkulturës, i cili organizohet në qytetin e Zhablakut.
“Kam nderin të hap Festivalin e parë Kombëtar të Interkulturës këtu në Zhablak, nën lartësitë e Durmitorit, një mal që mbart në vete frymën e lirisë dhe idenë e Malit të Zi si shtet ekologjik. Me këtë ngjarje fillon një traditë e re e afrimit kulturor përmes vallëzimit, këngës dhe kostumeve popullore ashtu siç bënin edhe të parët tanë: me krenari dhe dinjitet. Sepse të ruash traditën nuk do të thotë të jetosh në të kaluarën, por të dish kush je teksa ecën përpara”, tha Millatoviq.
Ai theksoi se festivali feston atë që na bashkon, pasurinë e ndryshimeve që i jetojmë së bashku.
“Në një kohë kur bota përballet me sfida përçarjeje, ne dërgojmë një mesazh të qartë nga Zhablaku se diversiteti është forcë mbi të cilën ndërtojmë të ardhmen evropiane të Malit të Zi, e cila duhet të jetë një vend ku të gjithë kanë shanse të barabarta. Prandaj edhe kjo ngjarje tregon se kemi fuqinë për të kultivuar unitetin, për të ndërtuar ura mes njerëzve dhe për të njohur trashëgiminë tonë kulturore si një shtyllë të zhvillimit. Mali i Zi është më i bukur kur është i bashkuar në këngë, në valle, në ndryshimet që na pasurojnë. Në ato dallime qëndron forca jonë, ndërsa në bashkim, e ardhmja jonë. Prandaj nga ky vend, nga zemra e krahinës së Durmitorit, dërgojmë një mesazh gëzimi, uniteti dhe krenarie për atë që jemi dhe le të bëhet kjo festë një thirrje e përvitshme për bashkim”, u shpreh Millatoviq.
Ai falënderoi ansamblet nga të gjitha trevat e vendit për ruajtjen e shpirtit të artit popullor.
“Vallet dhe këngët tuaja nuk janë thjesht koreografi, ato janë histori të transmetuara përmes lëvizjes dhe zërit. Ju jeni ambasadorët tanë të vërtetë kulturorë dhe kartolina e Malit të Zi në hartën e botës”, shtoi ai.
Presidenti shprehu gjithashtu falënderim të veçantë për Komunën e Zhablakut dhe Qendrën për Kulturë për “mbështetjen e sinqertë dhe përkushtimin që ky festival të mos jetë vetëm një manifestim por fillimi i një rruge të rëndësishme kulturore për të gjithë ne.”