Pas 43 përpjekjesh të dështuara për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ekspertët atje kanë nisur të llogarisin edhe koston e kësaj situate në buxhetin e shtetit.
Madje të pakënaqur janë edhe ligjvënës të rinj si Nezir Krakit, i cili u zgjodh për herë të parë në zgjedhjet e 9 shkurtit si deputet i partisë Guxo – pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Alternativën, që fitoi shumicën e votave. Ai i tha REL-së se mandatin e deputetit të Kuvendit të Kosovës e ka marrë për të kontribuar në jetën politike dhe parlamentare të vendit, e jo që të rrijë kot. Në fakt, 120 deputetët e zgjedhur të parlamentit të Kosovës rrogën vazhdojnë ta marrin sikur Kuvendi të ishte funksional.
Që nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, ata kanë përfituar dy paga e gjysmë, edhe pse shumica e 43 seancave kanë zgjatur vetëm pak minuta, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe mënyrën e votimit. Kostoja totale për pagat e deputetëve, nga 15 prilli deri më 30 qershor, sipas REL, ka mbërritur në gati 500 mijë euro. Përveç pagave të tyre, buxheti i shtetit mbulon edhe rrogat e zyrtarëve të lartë personalë të deputetëve, që ndryshe njihen si asistentë.
Në qershor, mediat në Kosovë raportuan se deputetët e zgjedhur kanë angazhuar deri atëherë 74 asistentë personalë. Llogaritet që për të njëjtën muaj, me të gjitha shtesat e parashikuara në rregullore, një asistent është paguar me rreth 900 euro.