KOMISIONI EVROPIAN: MALI I ZI ME PËRPARIM TË KUFIZUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT

Foto: Indeks Online

Komisioni Evropian ka publikuar raportin e vitit 2025 për sundimin e ligjit në Mal të Zi, duke vlerësuar se vendi vazhdon të përballet me korrupsion të përhapur në nivele të larta dhe me mungesë të dënimeve efektive.

Sipas raportit, ndonëse hetimet dhe ndjekjet penale për korrupsion në nivel të lartë janë shtuar, numri i vogël i vendimeve përfundimtare dhe mungesa e ndëshkimeve të rënda thellojnë perceptimin e mosndëshkueshmërisë.

Në Indeksin e Transparency International, Mali i Zi ka marrë 46 pikë nga 100, duke u renditur i 65-ti në botë. Ndërkohë, sipas Eurobarometrit të vitit 2025, 88% e qytetarëve besojnë se korrupsioni është i përhapur, ndërsa 79% e bizneseve e shohin atë si problem serioz në funksionimin e tregut.

Komisioni thekson edhe vonesat në zbatimin e reformave gjyqësore dhe mungesën e transparencës në emërimet dhe vendimet disiplinore brenda institucioneve të drejtësisë.

Kapacitetet njerëzore në luftën kundër korrupsionit mbeten të pamjaftueshme, ndërsa Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit përballet me sfida të menaxhimit dhe resurseve.

Brukseli shpreh shqetësim për krizën institucionale të shkaktuar nga vendimi i Kuvendit për të shpallur në mënyrë të njëanshme pensionimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, çka mund të cënojë pavarësinë e gjyqësorit.

Po ashtu, vihet në pah se mungesa e anëtarëve në këshillat e mediave publike dhe agjencive të pavarura e pengon zbatimin e plotë të kuadrit ligjor mediatik.

Megjithatë, vlerësohen përpjekjet për të përmirësuar reagimin institucional ndaj dhunës ndaj gazetarëve dhe transparencën e pronësisë mbi mediat.

Mali i Zi ka ndërmarrë disa hapa pozitivë drejt reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit, por përparimi është ende i kufizuar dhe i ngadalshëm. Nevojitet zbatim më i fortë i ligjeve, pavarësi institucionale dhe ndëshkime efektive për të adresuar perceptimin e thellë të korrupsionit dhe mosbesimit në institucione.

SHARE