Foto: Komuna e Tuzit
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, bëri të ditur se Komuna e Tuzit nuk do lejojë që Podgorica, në shkelje të ligjit dhe pa miratimin e saj, të vendosë për territorin që i takon Tuzit.
Ai tha se leja urbanistike-teknike nr. 06-333/24-13399/8 e datës 07.11.2024, e lëshuar për ndërtimin e deponisë sanitare në parcelat që ndodhen ekskluzivisht në territorin e Komunës së Tuzit, përbën ndërhyrje të papranueshme në kompetencat e komunës. Akoma më e papranueshme është fakti që këto vendime merren pa dijeninë e komunës së Tuzit.
“Rikujtoj opinionin dhe organet përgjegjëse se Kuvendi i Komunës Tuz më 28 dhjetor 2023 ka miratuar Vendimin për heqjen e vlefshmërisë së Projektit urbanistik ‘Deponia sanitare me qendër riciklimi’, duke vendosur kështu një pikë të qartë mbi çdo përpjekje për planifikim arbitrar në territorin tonë nga ana e Kryeqytetit ose ndonjë subjekti tjetër,” theksoi Gjelaj.
Ai kërkoi urgjentisht që kushtet urbanistike-teknike të shfuqizohen menjëherë dhe i gjithë procesi të ndalohet.
“Komuna e Tuzit do të parashtrojë padi penale kundër personave përgjegjës që, pa autorizimin e tyre, në emër dhe për llogari të Komunës së Tuzit kanë lëshuar kushte urbanistike-teknike dhe leje të tjera që janë në kompetencë të veçantë të Komunës, me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe punës së papërgjegjshme në shërbim,“ deklaroi kryetari Gjelaj.
Tuzi, siç thekson Gjelaj, nuk kërkon asgjë që nuk i takon, kërkon vetëm atë që është e saj, dhe këtë nuk do të mund ta marrë askush.
“Dhe në fund, nëse vazhdojnë të këmbëngulin në shkeljen e ligjit, me të gjitha mjetet, së bashku me qytetarët, do ta ndalojmë çdo ndërtim të mëtejshëm në deponinë tonë,” thuhet në deklaratën e kryetarit të Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.