Foto: FZO
Fondi për Sigurimin Shëndetësor të Malit të Zi ka njoftuar se në muajt e ardhshëm do të intensifikojë kontrollet e pushimeve mjekësore, duke pasur parasysh, siç thuhet në njoftim, se është vërejtur një trend i rritjes së numrit të tyre gjatë muajve të verës, një dukuri që është përsëritur edhe në vitet e kaluara.
Në këtë drejtim, apelohet tek qytetarët që të mos e keqpërdorin të drejtën për paaftësi të përkohshme për punë.
Në njoftim theksohet se, sipas Ligjit për sigurimin shëndetësor të detyrueshëm, gjatë kohëzgjatjes së pushimit mjekësor ndalohet kryerja e ndonjë veprimtarie tjetër dhe largimi nga vendbanimi, përveç në raste kur kjo është e nevojshme për trajtim mjekësor.
Po ashtu, theksohet se veprimi në kundërshtim me këto dispozita përbën gjithashtu një keqpërdorim të pushimit mjekësor.
Kontributi i qytetarëve në respektimin e këtyre obligimeve ligjore do të jetë shumë i rëndësishëm për uljen e numrit të mungesave në punë.
Fondi rikujton se për shkak të përdorimit të pajustifikuar të kësaj të drejte, shpenzohen mjete të mëdha financiare që mund të investoheshin në qëllime shumë më të dobishme siç janë përmirësimi i funksionimit të sistemit shëndetësor, sigurimi i qasjes në terapi dhe blerja e pajisjeve moderne mjekësore.
“Njëkohësisht, theksojmë se ky lloj racionalizimi i shpenzimeve nuk do të thotë as heqje e as kufizim i përdorimit të pushimit mjekësor për ata të siguruar që vërtet kanë nevojë për të dhe të gjitha të drejtat që burojnë nga sigurimi shëndetësor i detyrueshëm do të jenë të garantuara dhe të mundësuara”, thuhet në njoftim.
Fondi gjithashtu paralajmëron fillimin e një fushate për luftën kundër keqpërdorimit të pushimit mjekësor, në të cilën do të përfshihen edhe mjekët.
Qëllimi kryesor i kësaj fushate do të jetë forcimi i sistemit shëndetësor publik përmes bashkëpunimit të të gjithë aktorëve përkatës, në dobi të qytetarëve dhe shtetit.