QERSHORI MË I NXEHTË I KOHËRAVE….BOTA ËSHTË PËRVËLUAR PËR 12 MUAJ RADHAZI

Bota është përvëluar për 12 muaj radhazi me temperatura 1.5C më të larta se mesatarja e tyre përpara epokës së karburanteve fosile, tregojnë të dhënat e reja.

Temperaturat midis korrikut 2023 dhe qershorit 2024 ishin më të lartat të regjistruara ndonjëherë, zbuluan shkencëtarët, me tokën që ishte 1.64 gradë celcius më e nxehtë se në kohërat paraindustriale.

Ekspertët e shërbimit evropian të motit, Copernicus, thonë se rezultatet nuk janë një cudi statistikore por një “ndryshim i madh dhe i vazhdueshëm” i klimës.

Sipas tyre, ne do të shohim të thyhen rekorde të reja ndërsa klima do të vazhdojë të nxehet nëse nuk ndalet shtimi i gazrave që shkaktojnë efektin serë.

Copernicus, një organizatë shkencore që i përket programit hapësinor të BE-së, përdor miliarda matje nga satelitët, anijet, avionët dhe stacionet e motit për të gjurmuar metrikat kryesore të klimës.

Shërbimi zbuloi se qershori i vitit 2024 ishte më i nxehtë se çdo qershor tjetër i regjistruar dhe ishte muaji i 12-të me radhë me temperatura 1.5C më të larta se mesatarja e tyre midis 1850 dhe 1900.

Ekspertët thonë se kriza klimatike do të vazhdojë dhe në skenarin më të mirë të mundshëm, njerëzit duhet të përgatiten për një botë më të ngrohtë dhe të “përforcojnë” planet e tyre të reagimit.

SHARE