ZHVILLOHET TAKIMI ME PËRFAQËSUES TË INSTITUCIONEVE SHQIPTARE LIDHUR ME EROZIONIN E ADA TË BUNËS

Me propozim të OJQ-së Agjencia për Zhvillim Rajonal/Shoqata e Biznesit Ulqin, dhe nën organizimin e Ministrisë së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, dje është mbajtur takimi fillestar me përfaqësues të institucioneve shqiptare lidhur me rastin e zgjidhjes së përbashkët të çështjes së erozionit të plazheve në zonën e gjerë ndërkufitare të lumit Buna, me fokus Ada e Bunës. Në takim u shkëmbyen informacione për situatën aktuale, aktivitetet e kryera në të dy vendet për çështjet e erozionit të plazheve, veçanërisht ato në zonën ndërkufitare, si dhe mungesën e theksuar të të dhënave relevante për monitorimin e gjendjes së zonës dhe plazheve, duke propozuar zgjidhje efektive. Prandaj, u konkludua se krijimi i mbledhjes së përbashkët të të dhënave, gjegjësisht monitorimi i procesit në këtë fushë, do të kontribuonte në harmonizimin e masave të përbashkëta rehabilituese. Është konstatuar se një monitorim i tillë duhet të jetë i vazhdueshëm dhe që pas mbështetjes fillestare të projektit, kjo lloj matjeje të kthehet në aktivitete të rregullta kombëtare.

SHARE