NDËRRON JETËN ISH-KRYEMINISTRI I JAPONISË, SHINZO ABE

Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ndërroi jetë sot në moshën 67-vjeçare pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një fjalimi në qytetin Nara. “Ish-kryeministri Shinzo Abe, i cili u qëllua me armë gjatë fjalimit, ndërroi jetë në spitalin e qytetit Kashihara të prefekturës Nara ku u shtrua”, konfirmoi një nga zyrtarët e Partisë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet, raportoi televizioni shtetëror NHK. Abe u pranua në spital në gjendje kritike ndërsa mjekët 5 orë luftuan për ta mbajtur në jetë. Sipas televizionit shtetëror, Abe u qëllua në gjoks gjatë fjalimit të tij në një ngjarje të organizuar në ambient të hapur të organizuar nga Partia Liberale Demokratike, me qëllim të mbështetjes së kandidatit të saj në fushatën parazgjedhore. Sipas dëshmitarëve, janë dëgjuar dy krisma para se Abe të bie dhe të shtrihet në tokë. “Filloi t’i dilte gjaku, kurse sulmuesi e qëlloi pas shpine. Ishte pa ndjenja dhe nuk fliste”, theksuan ata. Sulmuesi i arrestuar u identifikua si 41-vjeçari Tetsuya Yamagami, banor i qytetit Nara. Të dielën në Japoni do të mbahen zgjedhjet për senat ndërsa Abe udhëhiqte fushatën për kandidatët e Partisë Liberale Demokratike në pushtet (LDP). Shinzo Abe, i cili ushtroi detyrën e kryeministrit nga 2012 deri në 2020, është kryeministri me stazhin më të madh në historinë e Japonisë. Abe dha dorëheqje dy vite më parë për arsye shëndetësore.

SHARE