Ministria e Arsimit njoftoi se anulon testin ekstern të njohurive të matematikës për nxënësit e klasave të nënta të shkollave fillore të planifikuar për sot.
“Ministria e Arsimit njofton opinionin se testi ekstern i planifikuar i njohurive të nxënësve të klasave të nënta fillore, në lëndën e matematikës, është anuluar për shkak të emaileve me përmbajtje kërcënuese që janë pranuar sot nga disa shkolla fillore dhe të mesme në pjesën më të madhe të komunave në territorin e Malit të Zi”, thuhet në njoftim.
Testimi, shtohet, është anuluar në bashkëpunim dhe në bazë të konstatimeve dhe opinioneve të Drejtorisë së Policisë për vlerësimet e sigurisë të institucioneve ku do të testoheshin njohuritë e nxënësve.
Shkollat fillore do të njoftohen me kohë për datën e re të testimit, në bashkëpunim me Qendrën e Provimeve.
Disa shkolla malazeze, si dhe ndërtesa e Parlamentit të Malit të Zi, janë evakuuar mëngjesin e sotëm pas raportimeve për bomba.
Drejtoria e Policisë ka bërë të ditur se po ndërmerren masa dhe veprime për këtë rast dhe se kontrollet janë duke vazhduar.