TË PAKTËN 17 TË VDEKUR NGA PËRPLASJA E NJË TRENI NË IRAN

Të paktën 17 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi një tren u përplas për një ekskavatorë dhe doli nga binarët në qytetin Tabas në Iran. “Shtatëmbëdhjetë persona kanë vdekur dhe 37 persona të lënduar janë transferuar në spital”, tha zëdhënësi i shërbimeve emergjente, Mojtaba Khaledi. Sipas raportimeve të para, treni po udhëtonte nga qyteti Mashhad për në qytetin Jasd, kur goditi një ekskavator pranë shinave në qytetin Tabas, që gjendet afër 800 kilometra në lindje të Teheranit. Pesë nga 11 vagonët dolën nga shinat në aksidentin që ndodhi mëngjesin e 8 qershorit, thanë zyrtarët nga Gjysmëhëna e Kuqe, raportoi televizioni shtetëror iranian. Zëvendëskreu i kompanisë shtetërore të hekurudhave, Mir Hassan Mussavi, i tha televizionit shtetëror Irib se treni po transportonte 348 pasagjerë. Disa prej të lënduarve janë dërguar në spital me helikopterë. Mediat iraniane thanë se autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkakun e aksidentit. Aksidenti më i rëndë me tren në Iran ka ndodhur më 2004, kur një tren që transportonte karburant dhe kemikate të tjera u përplas pranë qytetit Neishabur, duke lënë të vdekur 320 persona dhe duke plagosur 460 të tjerë. Si pasojë e këtij aksidenti pesë fshatra ishin dëmtuar nga zjarri i shkaktuar.

SHARE