QYTETARËT NË SHQIPËRI DO TË VOTOJNË NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE MË 11 MAJ

Foto: AA

Më 11 maj në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate, raporton Anadolu.

Të shtunën vendi do të jetë në heshtje zgjedhore, ndërkohë qytetarët me të drejtë vote do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e 11-ta parlamentare në vend që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1991.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Në të gjithë vendin do të jenë 5.225 qendra të votimit, ndërkohë procesi i votimit dhe numërimit të votova në disa qendra do të kryhet nëpërmjet pajisjeve elektronike të votimit dhe numërimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucione të tjera që kanë lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor vazhdojnë përgatitjet. KQZ ka filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore për zgjedhjet, duke përfshirë kutitë e votimit, fletët e votimit, dhomat e fshehtësisë dhe materiale të tjera që lidhen me procesin zgjedhor.

Sipas KQZ-së, për këto zgjedhje janë regjistruar 53 parti politike si subjekte zgjedhore, mes tyre dhe disa parti të reja, ndërkohë që garojnë 3 koalicione parazgjedhore.

– 12 zona zgjedhore në të gjithë vendin

Numri i zonave zgjedhore është 12 në të gjithë vendin dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në numrin më të madh të mandateve, në 37 mandate për Qarkun e Tiranës.

Sipas Kodit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi.

Partitë kryesore që garojnë në zgjedhje janë partia në pushtet, Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe partia m e madhe e opozitës, Partia Demokratike (PD), e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Risia kryesore e zgjedhjeve është votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë.

Nga të dhënat zyrtare të KQZ-së, është konfirmuar se numri përfundimtar i votuesve nga jashtë është 245.935. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 dhe aktualisht ky proces vazhdon dhe realizohet në rrugë postare.

SHARE