Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi, sipas propozimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, miratoi dy programet kyçe: Programin për përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë për vitin 2025, si dhe Programin për zhvillimin dhe promovimin e profesioneve artizanale për vitin 2025″, tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
“Orientimi i Qeverisë së Malit të Zi dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është të krijojë një program mbështetjeje për ekonominë, i cili do të jetë i fokusuar në nxitjen e zëvendësimit të importeve, veçanërisht në industrinë ushqimore, me qëllim uljen e varësisë së jashtme, rritjen e prodhimit vendas, përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, theksoi Gjeloshaj.
Për zbatimin e Programit për përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë për vitin 2025 janë ndarë mjete buxhetore në vlerën prej 3.500.000 euro, të cilat do të shpërndahen nëpërmjet tre linjave programore të mbështetjes:
- Linja programore për përmirësimin e kapaciteteve prodhuese në industrinë ushqimore;
- Linja programore për mbështetje të ndërmarrësisë së grave;
- Linja programore për stimulimin e zhvillimit të qëndrueshëm shëndetësor.
Qëllimi kyç i Programit për zhvillimin dhe promovimin e profesioneve artizanale për vitin 2025 është të stimulojë zhvillimin e artizanëve në Mal të Zi përmes ofrimit të mbështetje financiare për blerjen e pajisjeve/vegëlave/materialeve të nevojshme për kryerjen e aktivitetit artizanal dhe futjen e biznesit të tyre në rrugë ligjore, si dhe: forcimin e konkurrueshmërisë së artizanëve ekzistues; rritjen e numrit të artizanëve të regjistruar; mbështetje për artizanët fillestarë; stimulimin e sipërmarrësisë tek gratë dhe të rinjtë që ushtrojnë veprimtari artizanale dhe mbështetje për artizanët për blerjen e materialeve të nevojshme.
Buxheti total për realizimin e Programit për zhvillimin dhe promovimin e profesioneve artizanale për vitin 2025 është 300.000 euro.
“Po ndërtojmë një Mal të Zi që mbështet prodhimin e saj vendas, sipërmarrësit, ndërmarrësit, artizanët, inovatorët dhe punëtorët e punësuar. Këto programe do të hapin mundësi, do të ngritin standardin e jetesës dhe do të sjellin stabilitet afatgjatë në ekonominë tonë”, theksoi Gjeloshaj.