NË PËRGATITJE RIBALANCIMI TEKNIK I BUXHETIT PËR KËTË VIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministria e Financave ka filluar përgatitjet për ndryshimet në Ligjin për Buxhetin për këtë vit, të cilat, sipas informacioneve të marra nga ky departament, kryesisht kanë të bëjnë me korrigjime teknike në përputhje me organizimin e ri të administratës shtetërore dhe përmirësimin e buxhetit kapital.

Ndryshimet, ndër të tjera, janë të kushtëzuara nga formimi i ministrive të reja dhe nevoja për të siguruar bazë ligjore për zbatimin e projekteve kapitale, por nuk do të përfshijnë ndryshime në supozimet fiskale dhe makroekonomike, as në treguesit kryesorë buxhetorë, shkruan “Vijesti”.

“Ndryshimet në Ligjin për Buxhetin janë në fazë përgatitore dhe do t’i dërgohen Qeverisë për vendimmarrje në periudhën e afërt. Objekt i ndryshimeve janë kryesisht korrigjimet teknike, duke pasur parasysh ndryshimet e fundit të miratuara në Rregulloren për organizimin dhe mënyrën e punës së administratës shtetërore, me të cilën përcaktohen njësitë e reja buxhetore – Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Energjisë dhe Minierave, të cilat, sipas kësaj rregulloreje, formohen duke marrë përsipër kompetencat nga Drejtoria për Projektet Kapitale, Ministria e Minierave, Naftës dhe Gazit dhe Ministria e Energjisë”, thanë për Vijesti nga Ministria e Financave.

Përveç kësaj, në kuadër të buxhetit kapital, mbi bazën e dokumentacioneve përfundimtare të projekteve, po bëhen korrigjime në arsyetimin e disa projekteve kapitale me qëllim krijimin e bazës ligjore për shpalljen e thirrjeve publike dhe fillimin e realizimit të tyre.

“Në përputhje me sa u tha më sipër, ndryshimet përkatëse të Ligjit për Buxhetin për këtë vit nuk parashikojnë korrigjimin e supozimeve dhe projeksioneve makroekonomike dhe fiskale, dhe nuk sjellin ndryshime në treguesit kryesorë fiskalë,” kanë thënë në Ministrinë e Financave.

Deputetët miratuan më 7 shkurt në Kuvend buxhetin për këtë vit, si edhe vendimin për huamarrje.

Miratimi u vonua për shkak të bllokadës së Parlamentit nga opozita.

SHARE