KONFERENCA M:CYBER – SIGURIA ËSHTË ÇELËSI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Në hotelin Hilton në Podgoricë sot u mbajt konferenca M:CYBER – Siguria është çelësi!, e cila u dedikua çështjeve të sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së fëmijëve në internet.

Konferenca u shënua nga një program i pasur, i ndarë në dy panele – “Siguria kibernetike” dhe “Mbrojtja e fëmijëve në internet”, si dhe një ligjëratë mbi “Kërcënimet digjitale”, e mbajtur nga Igor Juriq, themeluesi i Fondacionit për fëmijët e humbur dhe të abuzuar.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë M:tel, Zoran Millovanoviq, theksoi angazhimin strategjik të kompanisë për përmirësimin e sigurisë digjitale përmes investimeve në mjete dhe platforma që ofrojnë përdoruesve një mjedis më të sigurt në internet.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, prof. dr. Angjella Jakshiq-Stojanoviq, theksoi se aftësia digjitale nuk është më një kompetencë shtesë, por një kompetencë bazë, pa të cilën nuk mund të ketë arsim cilësor dhe zhvillim të qëndrueshëm.

„Shkathtësia digjitale është përgjegjësi e përbashkët: shteti vendos standardet dhe siguron infrastrukturën, shkollat i bëjnë ato funksionale, ndërsa sektori privat dhe ai civil sjellin inovacione dhe mentorim. Qëllimi ynë është që çdo klasë të bëhet një laborator ku teknologjia përdoret në mënyrë kreative dhe kritike – për mësim, dhe jo vetëm për argëtim,“ theksoi ministrja Jakshiq-Stojanoviq.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, theksoi rëndësinë e përfshirjes digjitale dhe nevojën që transformimi digjital të shoqërohet me zgjerimin e kompetencave digjitale të qytetarëve.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të sistemit gjyqësor për luftën kundër krimit të lartë teknologjik, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët dhe të rinjtë.

Në kuadër të panelit të dytë, i fokusuar në mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën digjitale, pjesëmarrësit theksuan nevojën për një bashkëpunim të gjerë ndërmjet të gjitha aktorëve – nga shkollat dhe prindërit, deri te organet rregullatore dhe kompanitë telekomunikative.

U arrit në përfundimin se shkathtësia digjitale është, më shumë se kurrë, një çështje e sigurisë, arsimit dhe zhvillimit të përbashkët.

SHARE