GJELOSHAJ: FUSHATA “ÇMIME TË LIMITUARA” DO TË PREZANTOHET PAS MIRATIMIT NGA QEVERIA

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, gjatë një konferencë për media sot theksoi se ende nuk ka informacione të reja për mënyrën se si do të vazhdojë fushata “Çmime të Limituara”, dhe se ky program do të prezantohet pas paraqitjes së tij në Qeveri.

I pyetur se kur mund të pritet barazimi i çmimeve në tregjet e nivelit shtetëror, Gjeloshaj theksoi se këto programe do të nxisin prodhimin vendas, por efektet konkrete do të duken vetëm në fund të këtij viti ose vitin e ardhshëm.

Sa i përket çështjes së TVSH-së më të ulët për fruta dhe perime, si dhe për produktet e tjera ushqimore të shëndetshme, për të cilat ka paralajmëruar mbështetje më herët, Gjeloshaj theksoi se janë duke u zhvilluar konsultime me Ministrinë e Financave, e cila drejton politikën fiskale.

Gjeloshaj tha se kjo çështje është duke u shqyrtuar dhe analizuar së bashku me masat e tjera dhe të ardhurat që vijnë nga ky lloj taksimi në buxhet.

Ai theksoi se ndryshimet duhet të analizohen me kujdes, pasi taksat janë tashmë të parashikuara në Strategjinë Fiskale.

Ai shtoi se do të japin më shumë informacion pas përfundimit të analizave të nevojshme.

Ai përsëriti se produktet ushqimore bazë në rajon, siç janë ato në Kroaci dhe Serbi, nuk janë më të shtrenjta, por nuk mund të flasë për produkte të tilla si Coca-Cola dhe çokollata, pasi nuk janë kryer analiza dhe krahasime për to.

SHARE