Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka bërë të ditur se është hapur qendra e parë rajonale e trajnimit për sigurinë kibernetike. Abazoviq donte ta niste javën e punës me lajme të mira.
“Mirëmëngjes Mali i Zi. Ne e fillojmë javën e punës me lajme të mira. Është hapur qendra e parë rajonale e trajnimit për sigurinë kibernetike. Faleminderit partnerëve tanë, Francës dhe Sllovenisë, për besimin e treguar”, thuhet në postimin e tij në Twitter.
Ambasadori i Francës në Mal të Zi, Christian Timonije, tha se projekti franko-slloven për formimin e një qendre regjionale të trajnimit mori skicë në Podgoricë, në kuadër të Universitetit të Malit të Zi.
Siç tha ai, qëllimi i projektit është forcimi i kapaciteteve operacionale dhe strukturore në luftën kundër krimit kibernetik, si dhe zhvillimi i strukturave dhe matricave për forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike të administratave të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadori i Sllovenisë në Mal të Zi Gregor Presker tha se qëllimi i seancës së parë të trajnimit VB3C është që të merret me problemin e një numri të vogël të ekspertëve në fushën e sigurisë kibernetike.
“Unë e përshëndes faktin që të gjitha vendet e rajonit kanë pranuar iniciativën për të forcuar qëndrueshmërinë kibernetike dhe çelësi është arsimi”, tha Presker.
Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj tha se është jashtëzakonisht i kënaqur dhe i nderuar që sot kanë mundësinë të shpall trajnimin e parë të organizuar nga Qendra Rajonale për Siguri Kibernetike dhe Zhvillimin e Kapaciteteve Kibernetike.
Dukaj theksoi se në një kohë relativisht të shkurtër, Ministria e Administratës Publike ka ndërmarrë hapa madhorë për të përmirësuar sigurinë kibernetike dhe qëndrueshmërinë.
Sipas Dukajt, ekipi i CIRT punon 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, është i pajisur me një sërë mjetesh sigurie dhe kështu është formuar një ekosistem kibernetik.
“Vlera e veçantë e trajnimit që po e paralajmërojmë sot është se, përveç Sllovenisë dhe Francës, ligjërues do të jenë edhe nga Mali i Zi dhe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha Dukaj.
Ai tha se sot është një ditë e madhe për Malin e Zi.