PARLAMENTI ROM NË MAL TË ZI KËRKON MASA KONKRETE PËR BARAZI DHE PËRFSHIRJE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Në Kuvendin e Malit të Zi u mbajt sesioni i katërt i Parlamentit Rom me rastin e Dita Ndërkombëtare e Romëve (8 prill), me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për sfidat e komunitetit rom dhe promovimin e kulturës dhe të drejtave të tyre.

Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, theksoi se ndërtimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe lufta kundër diskriminimit duhet të jenë prioritete, duke vënë në dukje se komuniteti rom dhe egjiptian vazhdon të jenë ndër më të diskriminuarit. Ai nënvizoi rëndësinë e arsimit dhe punësimit për përmirësimin afatgjatë të pozitës së tyre, si dhe mungesën e përfaqësimit autentik në parlament.

Kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jovan Vuçuroviq, e cilësoi Parlamentin Rom si një platformë kyçe për dialog mes institucioneve dhe komunitetit, duke kërkuar përshpejtimin e zgjidhjes së problemeve dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, theksoi përparimet në arsim dhe punësim, përfshirë rritjen e pjesëmarrjes në shkollim dhe uljen e papunësisë, por pranoi se diskriminimi dhe antiromizmi vazhdojnë të jenë të pranishme, sidomos në këto fusha.

Avokati i Popullit, Sinisha Bjekoviq, ngriti shqetësime për diskriminimin, përjashtimin social, mungesën e arsimit cilësor dhe kushtet e vështira të jetesës, si dhe problemin e mungesës së dokumenteve për disa pjesëtarë të komunitetit, që kufizon qasjen në të drejtat themelore.

Në fjalën e tij, Sokol Beganaj, koordinator kombëtar për çështjet e romëve dhe drejtues i Departamentit për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve dhe egjiptianëve në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Malin e Zi, theksoi se nevojiten veprime konkrete dhe barazi reale, duke nënvizuar se komuniteti rom nuk është problem, por përballet me pengesa strukturore dhe mungesë mundësish. Ai vuri theks në luftën kundër antiromizmit dhe kërkoi përgjegjësi më të madhe institucionale, si dhe investim në arsim dhe të rinj.

Përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit theksuan nevojën për masa konkrete, investime në arsim dhe rritje të mundësive për të rinjtë, duke kërkuar që barazia të jetë reale dhe jo vetëm formale. Në fund të sesionit u miratuan konkluzione që do të shërbejnë si bazë për veprime të mëtejshme të institucioneve.

SHARE