Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, (MINT) Mimoza Kusari-Lila, tha se shpreson që çmimet e naftës të stabilizohen në ditët në vijim pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Mbrëmjen e 7 prillit, SHBA-ja dhe Irani u pajtuan për ndalimin e armiqësive për dy javë dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit, rrugë kyç detare përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës dhe gazit në botë.
“Uroj që stabilizimi i çmimit të naftës dhe derivateve të vazhdojë ditëve në vijim. Kjo krejt do të varet nga rrethanat në Lindjen e Mesme. Është shumë e rëndësishme që ky mekanizëm i joni deri tani ka dhënë rezultatet e veta ndoshta jo në nivel 100 për qind, ka pasur lëvizje të çmimeve, por gjithsesi që në situatën kur do të kemi qarkullim të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe mosndikim të sasisë apo të çmimit në berzhën ndërkombëtare, atëherë edhe në Kosovë do të hiqet mekanizmi i përcaktimit me marzhë”, tha Kusari-Lila për gazetarët më 8 prill.
Ajo shtoi se do të duhen edhe disa ditë të dihet saktë nëse situata është kthyer në normalitet apo nëse ka hapësirë për destabilitet.
Aktualisht, në Kosovë është në fuqi masa mbrojtëse për çmimin e derivateve, pasi çmimet e naftës janë rritur që kur nisi konflikti mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin më 28 shkurt.









