SAMITI ESG ADRIA / GJELOSHAJ: QËNDRUESHMËRIA NUK ËSHTË VETËM NJË KONCEPT, POR REALITET DHE OBLIGIM YNI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Të mërkurën, më 9 prill, do të fillojë në Tivat, Samiti ESG Adria, takimi më i madh rajonal kushtuar temave të qëndrueshmërisë, investimeve, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.

Gjatë tre ditëve të Samitit priten më shumë se 700 pjesëmarrës, zyrtarë të rangut të lartë, përfaqësues të qeverisë, liderë biznesi, vendimmarrës, sipërmarrës dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare nga rajoni dhe bota.

Më shumë se 140 folës me famë botërore, përfaqësues nga më shumë se 300 kompani dhe më shumë se 60 liderë të rinj nga rajoni do të kenë mundësinë të prezantojnë praktikat më të mira të biznesit dhe të diskutojnë zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe tranzicionin e gjelbër.

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, me atë rast tha se Mali i Zi është krenar që është mikpritës i këtij dialogu, sepse siç theksoi ai, “më shumë se kurrë më parë, ne besojmë se qëndrueshmëria nuk është vetëm një koncept, por realiteti ynë, obligimi dhe rruga përpara”.

Ai tha se ESG nuk është një listë dëshirash por një politikë operative dhe përkujtoi se Qeveria në periudhën paraprake ka punuar shumë për organizimin e sistemit institucional dhe ekonomik.

Drejtoresha ekzekutive e Sustineri Partners, organizatore e Samitit ESG Adria, Bilana Braithwaite në fjalimin e saj ndër të tjera tha: “Kur nisëm Samitin e ESG Adria tre vite më parë, donim të hapnim hapësirë ​​për një bisedë serioze, konkrete për të ardhmen e rajonit. Sot, duke parë numrin e pjesëmarrësve, thellësinë e temave dhe cilësinë e dialogut, mendoj se është e qartë se kemi krijuar diçka që shkon përtej formatit klasik të konferencës.”

SHARE