Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i ka dërguar një mesazh urimi Kryepeshkopit të Tivarit Rrok Gjonlleshaj, Peshkopit të Kotorrit Ivan Shtironja, gjithë klerit dhe qytetarëve të besimit katolik, me rastin e festës së Pashkëve Katolike.
“Është një mundësi për të dërguar një mesazh paqeje, tolerance dhe respekti të ndërsjellë në frymën e festës. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se të bashkuar në diversitet dhe me besim në një fillim të ri, ne duhet të këmbëngulim në synimin tonë për të luftuar për progresin e mëtejshëm të Malit të Zi. Duke u kthyer kah e ardhmja, ne mbetemi të përkushtuar për këtë”, tha Abazoviq.
Ai ka uruar besimtarët që festat e ardhshme t’i kalojnë në harmoni dhe gëzim.
Kisha Katolike, si pjesë e pandashme e shoqërisë malazeze, gjithmonë ka kontribuar për harmoninë multietnike dhe multikonfesionale, dhe kështu vazhdon edhe në kohët e sotme sfiduese, tha kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviq.
Siç njofton Kuvendi, Gjuroviq ka uruar Kryepeshkopin e Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj dhe të gjithë besimtarët katolik në Mal të Zi për Pashkët.
“Simbolika e të gjitha kohërave e festës së Ngjalljes së Krishtit, i cili bëri një sakrificë për të mirën e mbarë njerëzimit, na pasuron jetën dhe forcon besimin tonë në vlerat universale të paqes, tolerancës, drejtësisë, bashkimit, besimit dhe mirëkuptimi mes njerëzve dhe kombeve”, tha Gjuroviq.
Siç tha ajo, është e sigurt se së bashku do të vazhdojnë të ndërtojnë një shtet të fortë dhe të begatë, një Mal të Zi civil dhe modern, i cili së shpejti do të gjendet në shoqërinë e vendeve më të zhvilluara të Evropës.
“Me dëshirën që festat t’i kaloni në harmoni dhe mirëqenie familjare, ju uroj edhe një herë Gëzuar Pashkët”, ka përfunduar Gjuroviq në urimin e saj.
Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka uruar të gjithë besimtarët për Pashkët.
“Të gjithë besimtarëve i uroj nga zemra Pashkët e ardhshme dhe uroj që festën më të madhe të krishterë ta festojnë në dashuri dhe mirëqenie. Besoj se pajtimi, respekti dhe harmonia do të shënojnë jo vetëm festat e ardhshme, por edhe ato do të bëhen edhe një herë vlerat themelore të shoqërisë sonë”, ka shkruar Millatoviq në Twitter.
Përballë sfidave të reja, Mali i Zi do të mbetet i përkushtuar për forcimin e kohezionit social, tha presidenti në largim i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Gjukanoviq tha se për të krishterët anembanë botës, Pashkët simbolizojnë shëlbimin, një qasje më të përgjegjshme dhe mundësinë për ta bërë jetën më të mirë.
Ai tha se zhvillimi i një shoqërie demokratike dhe përparimi i dëshiruar shpirtëror dhe material i Malit të Zi kërkon përkushtim dhe përgjegjësi.
Siç shtoi Gjukanoviq, mesazhet e Pashkëve janë një inkurajim dhe një nxitje për të përmbushur detyrat jetike me të cilat përballet Mali i Zi.
Sipas tij, duke predikuar paqen, drejtësinë dhe dashurinë, Kisha Katolike Romake ka kontribuar fuqishëm dhe vazhdon të kontribuojë në kultivimin e një kulture të mirëkuptimit dhe respektit më të thellë si pasuri civilizuese e shtetit të Malit të Zi.
Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, ka uruar besimtarët katolik me rastin e festës së Pashkëve.
Siç theksoi ai, Pashkët janë festë e shpresës, e drejtësisë dhe e besimit.
“Është shenjë e fitores së jetës mbi vdekjen dhe dua që edhe këtë vit ta mirëprisni me atë humor,” thotë Gjeka.
“Qofshin ditët tuaja të Pashkëve të mbushura me dashuri, ngrohtësi dhe mirëqenie në shtëpitë tuaja”, thuhet në urimin e ministrit Gjeka.