8 PRILLI – DITA NDËRKOMBËTARE E ROMËVE

Me rastin e 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ndërtesa e Parlamentit të Malit të Zi është ndriçuar sonte me ngjyrat e flamurit rom.

Në këtë mënyrë, Kuvendi i Malit të Zi vë në dukje kontributin unik që romët japin për pasurinë dhe diversitetin e vendit tonë dhe qenies së tij qytetare, multietnike dhe multikulturore dhe kujton se si vend duhet të bëjmë gjithçka për të arritur barazinë e tyre të plotë me qytetarët e tjerë.

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka uruar 8 prillin – Ditën e Romëve.

“Një nga qëllimet kryesore të administratës sonë është ngritja e standardit të jetesës së të gjithë qytetarëve përmes zhvillimit të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës. Në këtë kontekst, ne punojmë për të mirën e çdo qytetari të Malësisë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, racore apo ndonjë tjetër. Një nga fokuset tona kryesore të zhvillimit është pikërisht komuniteti rom në Malësi, për të cilin ne kemi punuar me përkushtim për të përmirësuar dhe avancuar të drejtat e tyre duke promovuar ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditave të tyre,” tha Gjeloshaj.

Ai më tej thekson se është krenarë që sot burrat dhe gratë rome janë të përfshirë në organet dhe ndërmarrjet e komunës, që janë qytetarë akademikë dhe se janë shembull respekti, vlerash dhe pune të palodhur për të gjithë komunën.

“Tuzi është një model se si duhet luftuar diskriminimi, stigmatizimi, paragjykimi apo urrejtja, duke u ofruar të gjithëve mundësi të barabarta, në mënyrë që të gjithë të punojmë së bashku për zhvillimin e atdheut tonë. Me urimet më të mira për të gjithë ju, edhe një herë ju uroj Ditën Botërore të Romëve,” thuhet në urimin e kryetarit Gjeloshaj.

Romët janë pjesë e pandashme e qytetarëve të Malit të Zi dhe çdo formë e diskriminimit, getoizimit dhe izolimit është e papranueshme për Qeverinë e Malit të Zi, ka deklaruar kryeministri Dritan Abazoviq me rastin e 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

“Së bashku do të ndërtojmë një të ardhme të bazuar në ide progresive dhe novatore në të cilat feja, kombi apo raca nuk do të jenë të rëndësishme”, shkroi Abazoviq në Twitter.

Mali i Zi, përmes zbatimit të mëtejshëm të politikave gjithëpërfshirëse, duhet të bëjë gjithçka që romët të jenë anëtarë të integruar, të respektuar dhe të barabartë të shoqërisë, tha kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviq.

Gjuroviq tha se 8 Prilli është një mundësi për të theksuar kontributin unik që romët japin në diversitetin kulturor dhe etnik të Malit të Zi dhe qenies së tij qytetare, multietnike dhe multikulturore.

Ajo tha se përfshirja sociale, si dhe lufta kundër segregacionit dhe stigmatizimit duhet të jenë prioritetet kryesore kur bëhet fjalë për pozitën e tyre në shoqëri.

“Me dëshirën për të vazhduar punën për ruajtjen dhe promovimin e kulturës, gjuhës, zakoneve dhe identitetit tuaj të përgjithshëm, duke e bërë Malin e Zi më të pasur dhe më të larmishëm, ju përgëzoj edhe një herë për Ditën Ndërkombëtare të Romëve”, përfundoi Gjuroviq.

Fakti është se sot në Mal të Zi romët jo vetëm që ofrojnë shërbime më të mira shëndetësore, arsimore, punësimi dhe sociale, por gjithnjë e më shumë i kemi në pozicionet e ofruesve të këtyre shërbimeve dhe krijuesve të politikave publike në këto fusha, tha presidenti në largim i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Megjithatë, siç tha ai, diskriminimi është ende një problem me të cilin duhet të ballafaqohemi si shoqëri.

“Në këtë ditë, e cila më shumë se gjysmë shekulli më parë shënoi fillimin e një afirmimi të fortë kolektiv të romëve, ne njohim historinë e pasur, trashëgiminë kulturore dhe traditën e popullit rom dhe kontributin e tyre në vendet ku ata jetojnë në mbarë botën, përfshirë Malin e Zi”, tha Gjukanoviq.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka uruar 8 Prillin, Ditën Botërore të Romëve.

“Jam i bindur se me një qasje të vazhdueshme strategjike, Mali i Zi do të vazhdojë me sukses t’i afrohet një shoqërie të hapur dhe gjithëpërfshirëse me mundësi të barabarta për të gjithë, ku ju, burra dhe gra rome, do të jeni anëtarë të respektuar dhe të vlefshëm të komunitetit,” thotë ministri Dukaj.

Ai më tej shton se ky synim kërkon kohë, angazhim të vazhdueshëm dhe qasje njerëzore, për të cilën beson se nuk ka alternativë në rrugën drejt arritjes së drejtësisë dhe lirisë.

“Kjo ditë është një mundësi për të mbështetur ruajtjen e kulturës, gjuhës, zakoneve dhe veçorive të tjera, autenticitetin e të cilave ju e ruani me vitalitet të jashtëzakonshëm dhe që tashmë është thurur në qenien multietnike dhe qytetare të identitetit të Malit të Zi. Me bindje të thellë dhe shpresë se përpjekjet për përparimin e mëtejshëm dhe përmirësimin e statusit të përgjithshëm të popullatës rome do të kenë mbështetjen e të gjithë shoqërisë, ju uroj edhe një herë të gjithëve juve Ditën Botërore të Romëve,” tha Dukaj.

SHARE