MALI I ZI KONFIRMOI ORIENTIMIN E TIJ EUROATLANTIK

Raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Malin e Zi, Tonino Piculla, përshëndeti vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për miratimin e pakos së sanksioneve kundër Rusisë, duke theksuar se konfirmon orientimin euroatlantik dhe statusin e liderit të zgjerimit. “E përshëndes vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për të miratuar një paketë sanksionesh kundër Rusisë. Me harmonizimin e mëparshëm të politikës së jashtme me politikat e përbashkëta të BE-së, Mali i Zi konfirmon edhe një herë orientimin e tij të paracaktuar euro-atlantik dhe statusin si lider në procesin e zgjerimit,” shkroi Piculla në Twitter. Shefi i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Malin e Zi, Vlladimir Bilçik, përshëndeti vendimin e Malit të Zi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë me shpresën se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që janë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) do të ndjekin shembullin e tij. “Vrasjet brutale të sotme të kryera nga Rusia në Kramatorsk janë një kujtesë e fortë se nuk ka vend për pajtim me agresorin në Moskë”, shkroi Bilçik në Twitter.

SHARE