BE, DRITË JESHILE PAKETËS SË PESTË TË SANKSIONEVE NDAJ MOSKËS: I MBYLLEN PORTET EUROPIANE

Bashkimi Europian i dha dritën jeshile paketës së pestë të sanksioneve ndaj Rusisë, mes të cilave përfshihet jo vetëm bllokimi i importit të qymyrit, por edhe mbyllja e porteve të bllokut europian për anijet ruse. “Bashkë me katër paketat e tjera, këto sanksione do të shtojnë presionin ekonomik ndaj Kremlinit dhe do të vështirësojnë aftësinë për të financuar pushtimin e Ukrainës”, thuhej në deklaratën e BE-së, ku theksohej gjithashtu se këto masa, të krijuara në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, janë më të gjera dhe më të ashpra, e pritet të kenë akoma edhe më shumë ndikim në ekonominë ruse. Sanksionet e reja shënjestrojnë gjashtë sektorë: qymyrin, transaksionet financiare, transportin, importin dhe eksportin në Rusi dhe përjashtimin e Moskës kontratat publike dhe fondet europiane. Të gjitha sanksionet e marra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë ndaj Rusisë, prej nisjes së luftës në Ukrainë, kanë për qëllim izolimin e Moskës në aspektin ekonomik, financiar dhe diplomatik. Më herët, edhe SHBA paraqiti një paketë të re sanksionesh në koordinim me G-7 dhe aleatët evropianë. Ato përfshinin një bllokim të plotë ndaj dy prej bankave më të mëdha të Rusisë, Sberbank dhe Alfa Bank, si edhe të ndërmarrjeve kryesore shtetërore ruse; ndalimin e të gjitha investimeve të reja në Rusi, dhe aftësisë së Rusisë për të kryer pagesat e borxhit me fonde që janë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara.

SHARE