SHBA: DO NDËRTOJMË PORT NË RRIPIN E GAZËS, BIDEN UDHËZIME USHTRISË PËR MISION URGJENT

Presidenti Joe Biden pohoi se i ka kërkuar ushtrisë amerikane ndërtimin e një porti të përkohshëm në brigjet e Rripit të Gazës, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për krijimin e një rrugë detare të dërgimit të ushqimit dhe ndihmave të tjera.

për krijimin e një rrugë detare të dërgimit të ushqimit dhe ndihmave të tjera.

Kjo, në një kohë kur këmbanat e alarmit po bien gjithmonë e më fort për rrezikun që civilët palestinezë, të bllokuar nga lufta Izrael-Hamas, së shpejti mund të vuajnë nga uria.

“Kam udhëzuar ushtrinë amerikane të udhëheqë një mision emergjent për të krijuar një port të përkohshme në Mesdhe në bregdetin e Gazës, ku mund të ankorohen anije të mëdha që transportojnë ushqim, ujë dhe ilaçe. Asnjë çizme ushtari amerikan nuk do të prekë tokën. Një port i përkohshëm do të mundësonte një rritje masive të sasisë së ndihmës humanitare që hyn në Gaza çdo ditë”, u shpreh Biden.

Ky njoftim nënkupton një përfshirje akoma edhe më të madhe të Shteteve të Bashkuara në konflikt dhe përshkallëzimin e tensioneve dhe luftimeve në rajon, ndërsa shihet nga ana tjetër edhe si shenjë e angazhimit të madh të administratës Biden për të gjetur qoftë edhe zgjidhje të pazakonta me qëllim dërgimin e ndihmave për 2.3 milionë banorët e Gazës.

Shpresat për arritjen e një armëpushimi përpara muajit të Ramazanit, i cili fillon më 10 mars, janë zbehur aktualisht pas dështimit të negociatave në Kajro, ku delegacioni i Hamasit u largua nga bisedimet me arsyetimin se Izraeli nuk përmbush kushtet e tij.

SHARE