FRANCA VULOS TË DREJTËN KUSHTETUESE PËR ABORTIN

Në ditën ndërkombëtare të gruas Macron deklaroi se do të negociojë për këtë çështje dhe në BE

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Ministri i Drejtësisë Eric Dupond-Moretti përdori një shtypshkronjë të shekullit të 19-të për të vulosur amendamentin për abortin në kushtetutën e Francës në një ceremoni të veçantë. 

Duartrokitjet mbushën Place Vendome, ndërsa Franca u bë vendi i parë që garantoi në mënyrë të drejtat e abortit në statutin e saj kombëtar. Masa u miratua me shumicë dërrmuese nga ligjvënësit francezë në fillim të kësaj jave dhe ajo tani hyri në fuqi.

Qeveria e Macron tha se amendamenti i abortit ishte i rëndësishëm për të shmangur një skenar të ngjashëm me SHBA-në për gratë në Francë, pasi grupet e djathta të forta po fitojnë terren dhe po kërkojnë të kthejnë kohën pas në Evropë. Presidenti Emmanuel Macron e përshkroi veprimin si “krenarinë franceze” që dërgoi një “mesazh universal”.

“Sot nuk është fundi i historisë, por fillimi i një lufte. Ne do ta udhëheqim këtë luftë në kontinentin tonë, në Evropën tonë, ku forcat reaksionare po sulmojnë të drejtat e grave përpara se të sulmojnë të drejtat e pakicave. Kjo është arsyeja pse unë dua të siguroj lirinë e garantuar të abortit në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian.”

Por ky vendim i cili do të kërkonte unanimitet, mund të jetë i vështirë. Ndërsa pjesa më e madhe e Evropës e ka legalizuar abortin, disa vende vendosin kufizime për gratë që kërkojnë të ndërpresin shtatzëninë dhe ndasitë e thella mbi të drejtat e abortit mbeten.

Një masë dërrmuese në Francë e shikojnë abortin më shumë si një çështje e shëndetit publik sesa politikës. Qeveria franceze ka thënë se tani do të përpiqet të sigurojë mbrojtje më të mira sipas ligjit të BE-së.“Franca tani duhet ta çojë këtë luftë në nivel evropian”, tha zëdhënësja e qeverisë franceze Prisca Thevenot.

Asnjë vend deri më tani nuk e ka mbrojtur në mënyrë të qartë të drejtën për ndërprerjen e shtatzënisë. Disa vende aludojnë për të drejtën, ndërsa të tjera përmendin në mënyrë eksplicite abortin, por vetëm në rrethana të caktuara.

SHARE