TËRMETET SHKATËRRUESE / TURQIA MERR 400 MILIONË EURO NGA BE

Bashkimi Evropian ka nënshkruar një marrëveshje për ta mbështetur Turqinë me 400 milionë euro për rimëkëmbjen e saj pas tërmeteve të vitit të kaluar, ku mijëra persona mbetën të vdekur.

Komisioni Evropian e ka nënshkruar këtë marrëveshje për të ndarë grantin 400 milionësh nga Fondi i Solidaritetit të Bashkimit Evropian për të financuar operacionet e rimëkëmbjes pas katastrofës pas tërmeteve shkatërruese.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë në Bruksel, mes Komisioneres për Kohezionin dhe Reformat, Elisa Ferreira dhe zv/ministrit turk për Punët e Jashtme, Mehmet Kemal Bozay.

‘Nuk është çudi që kjo është shuma më e madhe e dhënë ndonjëherë nga Fondi i Solidaritetit të BE-së për një vend kandidat. Është gjithashtu hera e parë që Turqia merr ndihmë nga EUSF. Kur nevojitet mbështetje, Evropa përgjigjet – jo vetëm për shtetet anëtare, por edhe për fqinjët e saj’ – njofton Komisioni Evropian në faqen zyrtare.

Granti me vlerë totale prej 400 milionë euro është pjesë e një pakete të Fondit të Solidaritetit të BE-së të miratuar nga Komisioni më 23 gusht 2023 dhe do të mbështesë më tej Turqinë pas tërmeteve.

SHARE