PLANI I RRITJES, RAMA: BE KA NISUR TË MENDOJË JASHTË KORNIZAVE PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

Plani europian i rritjes ekonomike për Ballkani Perëndimor për kryeministrin Rama shënoi një kthesë të fortë të situatës traumatike që po përjeton ky rajon nga mungesa e mbështetjes nga Brukseli. I ftuar si pjesë e forumit të përvitshëm që Banka Europiane e Investimeve zhvilloi në Luksemburg, Rama flet me siguri se për Shqipërinë më shumë se anëtarësimi është dija që vendi merr për ndërtimin e një shteti demokratik.

“Tani në këtë periudhë post-traumatike jam më i prirur ta lavdëroj BE sesa ta fajësoj atë. Po shohim shërbimin jashtë mase përfitues që po na jep BE përmes këtij procesi bisedimesh. Një hapësirë e jashtëzakonshme e dijes. Kjo bën dallimin. Kjo është një bekim për ne që kemi BE-në krah vetes dhe pjesë të së ardhmes sonë. Në këto momente BE ka hedhur një hap të jashtëzakonshëm. Për herë të parë ka nisur të mendojë jashtë kornizave për Ballkanin Perëndimor. Ky plan çel shtigje që më parë ishin të hapura vetëm për shtet anëtare”, tha Rama.

E dijet më së shumti bashkë me investimet Shqipërisë sipas Ramës i duhen për përdorimin e teknologjisë në të gjithë hallkat e qeverisjes.

“Ne do të ndërmarrim më shumë dije për rritjen graduale të investimeve për novacionin sepse këtu na mungojnë shumë kapacitete. Nëse teknologjia nuk do të kishte hyrë në jetët tona e ardhmja jonë do të ishte shumë e zymtë. Teknologjia është bekimi ynë. Kjo për ne do të thotë dije shumë më të hapura nga ana e institucioneve financiare për të mbështetur të ardhmen tonë përmes teknologjisë”, u shpreh kryeministri.

Por sigurisht mes lëvdatave për qasjen e re strategjike ndaj rajonit tonë, Rama mes rreshtave nuk e shmang thumbimin për tejzgjatje të procesit të anëtarësimit nga ana e Brukselit.

“Ashtu si nusja jonë e dashur e ardhshme na ka thënë se gjithçka varet nga ne, asgjë nuk vjen e mirëqenë përveç se nëse sulmohesh nga ndonjë superfuqi dhe pastaj atyre iu krijohet mëshirë dhe të fusin brenda pa plotësuar kushtet. Sinqerisht nuk po kërkoj një integrim të shpejtë dhe të pa bazuar në meritë. Pres udhëtimin e plotë të mbushur me situatë neurotike duke pasur parasysh Brukselin, por është diçka që duhet ta bëjmë për vete. BE është një shtysë për të ndërtuar një shtet demokratik”, shtoi Rama.

SHARE