Mali i Zi mund dhe duhet të jetë anëtar i ri i Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2028, tha presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq në Akademinë Diplomatike të Vjenës.
Gjatë prezantimit të tij në Akademinë Diplomatike të Vjenës, para diplomatëve, ambasadorëve, intelektualëve nga Austria dhe bota, si dhe studentë malazezë, Millatoviq theksoi se anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të ishte një mesazh i qartë për vendet e tjera aspirante se reformat do të shpërblehen, por edhe një hap i rëndësishëm në forcimin e sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë BE-së.
“Kjo mbështetet nga fakti se ne jemi ekonomikisht më të avancuarit në krahasim me vendet e tjera kandidate, ne e përdorim euron për mbi dy dekada, kemi një politikë të jashtme dhe të sigurisë plotësisht të koordinuar me BE-në, jemi një vend që kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në dhe një vend që nuk ka çështje të rëndësishme të pazgjidhura me fqinjët dhe promovon marrëdhënie të mira fqinjësore. Më tej, bashkëbiseduesit i njoha me ndryshimet politike që ndodhën në Mal të Zi dhe vlerësova se tranzicioni i parë demokratik i pushtetit në historinë e vendit tonë ka ndodhur më pak se katër vjet më parë”, tha Millatoviq në rrjetin X.
Ai shtoi se pas pjekurisë së dëshmuar – demokratike në zgjedhje – është bërë një hap i rëndësishëm përpara në forcimin e sundimit të ligjit, duke emëruar profesionistë në gjyqësor me një konsensus të gjerë politik në Kuvend.
Millatoviq theksoi se është ruajtur kursi properëndimor i vendit, i cili mbështetet në tre shtylla – anëtarësimin e plotë në BE, forcimin e besueshmërisë si anëtare e NATO-s dhe nxitje të marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Ka një vullnet të fortë politik në vendin tonë për të çuar në fund procesin e negociatave dhjetëvjeçare me BE-në. Nga ana tjetër, gjatë aktivitetit tim intensiv diplomatik në tetë muajt e fundit, kuptova se ka një vullnet po aq të fortë në Bruksel. Theksova kandidaturën e Malit të Zi për anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitet 2026-2027, e cila do të përfaqësonte kurorën e aktiviteteve tona diplomatike dhe do të shënonte dy dekada të pavarësisë sonë”, ka shkruar Millatoviq në rrjetin X.