MBI 11 MIJË VIKTIMA NGA TËRMETET NË TURQI DHE SIRI/ EKIPET E KËRKIM-SHPËTIMIT NË GARË ME KOHËN

 Mbi 11 mijë persona është bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, pas tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit. Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të tjerë nën rrënoja. Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit. Por, përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme. Në qytetin sirian të Xhindajrisit, një foshnje e sapolindur u nxor nga rrënojat. Disa prej dëmeve më të mëdha janë regjistruar në provincën turke të Gaziantepit, ku qindra ndërtesa janë shembur dhe janë bllokuar rrugët, duke penguar përpjekjet e shpëtimit. Personat që i kanë mbijetuar tërmetit, shumica prej të cilëve nuk kanë këpucë e as rroba të ngrohta, po përballen me mbijetesë në temperatura të ulëta. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën vizitoi pjesën jugore të shtetit për të parë nga afër shkatërrimin e shkaktuar nga tërmetet e fuqishme, teksa është rritur zemërimi i banorëve lokalë, të cilët kanë akuzuar autoritetet për përgjigje të ngadalshme për operacionet e kërkim-shpëtimit.

SHARE