QULLAFIQ: MALI I ZI PËRQENDROHET FUQISHËM NË MBROJTJEN E MJEDISIT DHE MENAXHIMIN E MBETURINAVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq, ka njoftuar se deri në gjysmën e parë të vitit 2026 do të miratohen ligjet dhe strategjitë kryesore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, ndërkohë që vazhdojnë përgatitjet për ndërtimin e katër qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave në Podgoricë, Nikshiq, Bijello Pole dhe Tivar.

Qullafiq theksoi arritjet e vitit të kaluar, përfshirë miratimin e Kontributit Kombëtar të Përcaktuar dhe fushatën “Ruaje që të ruan”, e cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit qytetar mbi mbrojtjen e mjedisit.

Ai gjithashtu përmendi miratimin e Ligjit për Ndryshimet Klimatike dhe Strategjinë për Zhvillim me Karbon të Ulët, me synimin për arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.

Ministri theksoi gjithashtu suksesin e vendimit për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike, që ka reduktuar për rreth 70% sasinë e qeseve të hedhura në deponi.

Ndërtimi i katër qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave konsiderohet projekt prioritar për këtë vit, me përparësi për Nikshiq dhe Tivar. Për qendrën në Tivar (Mozhura) janë siguruar tashmë 20 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për realizimin e projekteve të kapaciteteve dhe teknologjisë moderne për trajtimin e mbeturinave.

Ministri theksoi rëndësinë e komunikimit transparent me komunitetet lokale për përfitimet e projekteve dhe mungesën e ndikimeve negative mjedisore.

Mali i Zi ka hyrë gjithashtu në programin LIFE të Bashkimit Evropian për mjedisin dhe veprimet klimatike, ku priten rezultatet e para gjatë gjysmës së parë të vitit. Ministria ka siguruar fonde të konsiderueshme nga programet evropiane dhe Banka Botërore për ndërtimin dhe përmirësimin e sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve në 18 komuna, me vlerë rreth 35 milionë euro, si dhe një grant prej 80 milionë euro për projekte mjedisore.

Qullafiq komentoi gjithashtu rritjen e nivelit të radonit në disa shkolla, duke urdhëruar matje të reja dhe masa të menjëhershme për mbrojtjen e fëmijëve.

Ai theksoi se të gjitha incidentet ekologjike trajtohen me vendosmëri dhe transparencë nga Ministria dhe qeveria.

Ministri njoftoi se vitin e kaluar ka pasur progres të madh edhe në kapitullin 27 të negociatave me Bashkimin Evropian, duke theksuar se për zbatimin e plotë të detyrimeve mjedisore janë të përfshira 25 institucione dhe se shuma totale e nevojshme mund të arrijë mbi 3 miliardë euro.

Qullafiq shprehu optimizëm për këtë vit, duke vlerësuar se miratimi i ligjeve dhe strategjive kyçe, përfshirë ligjet për mbrojtjen e natyrës, zhvillimin e qëndrueshëm, parqet kombëtare, shërbimet komunale dhe mbrojtjen nga zhurma, do të përshpejtojë integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

SHARE