Shqipëria është përfshirë në ditët e fundit nga moti i keq, ku reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete, ndërkohë është shënuar një i vdekur, raporton Anadolu.
Situata më problematike me reshjet e shiut dhe përmbytjet paraqitet në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ku janë përmbytur banesa, biznese dhe tokë bujqësore.
Ndërkohë, autoritetet, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë vazhduar angazhimin në zonat e përmbytura për evakuimin e familjeve dhe largimin ujit, ndërsa disa zona janë përfshirë edhe nga reshjet e borës.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se si pasojë e reshjeve intensive, gjatë orëve të fundit ka patur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, duke krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.
“Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve, ku është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve”, thuhet në njoftim.
– Humb jetën një person
Autoritetet kanë urdhëruar sot evakuimin e banorëve në disa zona të prekura nga përmbytjet.
Ndërkohë, Policia e Durrësit ka konfirmuar se një person i moshës 54-vjeçare është gjetur i vdekur në një kanal kullues pasi sipas policisë dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit.







