KOSOVË, VETËM EDHE RRETH 3 MIJË PAKO TË VOTAVE KANË MBETUR DERI NË NUMËRIMIN PËRFUNDIMTAR TË VOTAVE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e të gjitha votave me postë që kanë arritur në Kosovë, pa përfshirë vetëm edhe 3.185 pakot që pritet të sillen të enjten në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), raporton Anadolu.

Sipas rezultateve të përmbledhura të publikuara në faqen e KQZ-së Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 51,01 për qind, me 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pas Lëvizjes Vetëvendosje, radhitet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20,24 për qind të votave apo 22 ulëse të siguruara në Kuvend, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13,26 për qind duke siguruar 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5,50 për qind të votave, me 5 ulëse në Kuvend.

Nga minoritetet, Lista Serbe ka siguruar 9 nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend. Një ulëse nga ky komunitet e ka siguruar partia e Nenad Rashiqit i cili ka qenë pjesë e pushtetit me Lëvizjen Vetëvendosje gjatë qeverisjes së kaluar.

Nga partitë e minoriteteve joserbe në Kosovë, vetëm Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDPT) ka arritur të sigurojë dy ulëse në Kuvend, ndërsa partitë e minoriteteve tjera joserbe nga një ulëse.

“Ende nuk janë sjellë në Kosovë edhe 3.185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404)”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi të mërkurën.

Procesi i numërimit total të votave pritet të përfundojë para datës 19 janar, sipas zëdhënësit të KQZ-së.

SHARE