Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE), Arianna Podesta mbrojti partneritetin strategjik me SHBA-në nën administratën e Donald Trumpit, transmeton Anadolu.
Podesta, një nga zëdhënëset e KE-së, iu përgjigj pyetjeve në konferencën e përditshme për media se “si BE-ja mund ta konsiderojë ende SHBA-në partner strategjik nën dritën e politikave aktuale të administratës së Trumpit”.
“Ajo që mund të them është se SHBA-ja vazhdon të jetë partner strategjik i BE-së dhe ne punojmë në mënyrë aktive me ta, si me të gjithë partnerët tanë të tjerë, në fushat ku kemi interesa të përbashkëta. Sigurisht, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për çështje të ndryshme ku kemi interesa të përbashkëta”, tha ajo.
Pasi iu rikujtuan mosmarrëveshjet për çështje të ndryshme duke filluar nga Ukraina dhe Lindja e Mesme deri te Grenlanda, tarifat dhe marrëveshjet tregtare, Podesta tha: “A duhet të jemi me të njëjtin mendim me partnerët tanë ndërkombëtarë në çdo hap? Sigurisht që jo. Por, ata mbeten partnerët tanë strategjikë dhe ne punojmë në mënyrë konstruktive me ta në çdo fushë të mundshme”.
“Është e qartë se SHBA-ja, historikisht dhe aktualisht është partner strategjik i BE-së. Gjithmonë ka qenë kështu dhe do të vazhdojë të jetë. Kjo nuk do të thotë se duhet të mendojmë saktësisht njësoj për gjithçka, por ne kemi vizione dhe interesa të përbashkëta. Ka shumë fusha ku punojmë në mënyrë aktive, nga gjeopolitika deri te ekonomia. Ka shumë fusha ku mund të bashkëpunojmë dhe bashkëpunojmë”, shtoi Podesta.
– Marrëdhëniet Bruksel-Washington
Marrëdhëniet BE-SHBA janë tensionuar nën administratën e Trumpit për shkak të mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, sigurinë dhe politikën e jashtme.
Vendosja e tarifave shtesë të SHBA-së për çelikun dhe aluminin e BE-së, kritikat e ashpra për shpenzimet e mbrojtjes brenda NATO-s dhe ndryshimet në qasje midis Washingtonit dhe kryeqyteteve evropiane lidhur me mbështetjen ushtarake dhe financiare për Ukrainën janë ndër çështjet që vënë në provë partneritetin historik.
Së fundmi, interesi në rritje i Trumpit për Grenlandën, rajonin autonom të Danimarkës brenda BE-së, ka shkaktuar shqetësim në Bruksel lidhur me këndvështrimin e BE-në për sovranitetin dhe ndjeshmëritë gjeopolitike.







