DUKAJ: MBËSHTETJE PËR ADMINISTRIM TË HAPUR DHE TRANSPARENT

Në organizimin e Ministrisë së Administratës Publike dhe Institutit Kombëtar Demokratik në Mal të Zi është mbajtur sot konferenca “Shkëmbimi i njohurive dhe ideve për administrata të hapura dhe transparente në Mal të Zi”. 

“Që nga viti 2011, Mali i Zi është pjesë e iniciativës globale – Partneriteti për Administrim të Hapur, i cili ndihmon qeveritë, organizatat joqeveritare dhe qytetarët të lidhen dhe inkurajojnë njëri-tjetrin për t’u zhvilluar në drejtim të përmirësimit të demokracisë në mbarë botën në një mënyrë inovative. Promovimi i praktikave të mira të vendeve anëtare të Partneritetit për Administrim të Hapur është një mundësi për t’i vëzhguar, shkëmbyer dhe, nëse është e mundur, për t’i zbatuar ato. Ne jemi të hapur për të punuar së bashku për vlerat që ndajmë, me synimin për të përmirësuar mënyrën se si u shërbejmë qytetarëve. Duke siguruar bashkëpunim në nivel të lartë, ne tregojmë shkallën më të lartë të vullnetit politik për të zgjidhur shumë sfida sociale dhe të tjera, jo vetëm për të përmirësuar sistemin tonë, por për t’i hapur rrugën anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj në hapje të konferencës. 

“Sot është një mundësi për të parë edhe një herë cilësinë e punës sonë të përbashkët, për të afirmuar idetë e reja dhe për të siguruar kontribut në prioritetet dhe aspiratat e qytetarëve në raport me vendimmarrësit, si dhe për të gjetur zgjidhje për bashkëpunim më të mirë ndërmjet Qeverisë, OJQ-ve, sektorit të biznesit dhe qytetarëve”, theksoi ministri Dukaj. 

Dukaj theksoi se çdo Plan Kombëtar i Veprimit në vijim me një bashkëpunim kaq të ngushtë do të jetë gjithnjë e më i mirë dhe falënderoi Institutin Kombëtar Demokratik për mbështetjen teknike për të gjitha programet që ne i zbatojmë së bashku, me theks të veçantë në forcimin e procesit të OGP-s dhe reformën e administratës publike.

SHARE