Bashkimi Evropian e mbështet fuqishëm Malin e Zi, por pritet një konsensus më i gjerë social dhe politik për të zbatuar reformat e nevojshme në rrugën drejt BE-së, tha i dërguari i posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, i cili u takua sot në Bruksel me Ministrin e Brendshëm, Filip Axhiq. Siç njofton MPB-ja, takimi ishte një mundësi që bashkëbiseduesit të shkëmbejnë mendime për situatën aktuale politike në Mal të Zi, për mundësitë për zhbllokim të institucioneve, si dhe për planet e ardhshme të Qeverisë për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimi Europian. Axhiq theksoi gatishmërinë e autoriteteve malazeze për intensifikimin e proceseve reformuese me qëllim të anëtarësimit të plotë në BE. “Unë besoj se Mali i Zi mund të jetë anëtar i BE-së në dy vitet e ardhshme”, theksoi ministri. Ai falënderoi Lajçak dhe të gjithë zyrtarët e BE-së që mbështesin Malin e Zi në rrugën e tij evropiane.
„Mali i Zi duhet të jetë anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian,“ u konkludua në takimin e sotëm të ministrit Filip Axhiq dhe bashkëkryetarit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim për Malin e Zi, Vladimir Bilçik. Bashkëbiseduesit shprehën pritshmërinë që së shpejti të zhbllokohen institucionet kyçe, në mënyrë që sa më shpejt të arrihet stabiliteti socio-politik, i cili është parakusht për arritjen e rezultateve të mira në procesin e negociatave.