OKB: VITI 2025 DO TË JETË NDËR VITET MË TË NXEHTA NDONJËHERË

Temperaturat jashtëzakonisht të larta kanë bërë që viti 2025 të jetë në rrugë për t’u renditur në mesin e viteve më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, thanë Kombet e Bashkuara më 6 nëntor, duke theksuar se ky trend ende ka gjasa të ndalet.

Ndërkohë, edhe pse ky vit nuk do të kalojë 2024 si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, ai do të renditet i dyti ose i treti, duke mbyllur një dekadë me nxehtësi të paprecedentë, tha Agjencia për klimën dhe motin e OKB-së në një raport të publikuar, teksa udhëheqësit botërorë u mblodhën në Amazonën braziliane përpara Samitit të Klimës COP30 të OKB-së që do të mbahet javën e ardhshme.

Këto zhvillime “nënkuptojnë se do të jetë praktikisht e pamundur të kufizohet ngrohja globale në 1.5 gradë Celsius në vitet e ardhshme pa kaluar përkohësisht objektivin e Marrëveshjes së Parisit”, tha shefja e Organizatës Botërore Meteorologjike, Celeste Saulo, duke i drejtuar liderët në Belem, në veri të Brazilit.

Saulo insistoi se përderisa situata është e rënduar, “shkenca është e qartë se është krejtësisht e mundur dhe thelbësore që të zbriten temperaturat në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit”.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, e ka cilësuar mosarritjen e qëllimit për temperaturën si “dështim moral”.

Duke folur në një konferencë për media në Gjenevë, shefi i shkencëtarëve të klimës në OKB, Chris Hewitt, tha se “ende nuk e dimë se për sa kohë do të jemi mbi 1.5 gradë Celsius”.

“Kjo varet nga vendimet që marrim tani… Pra, kjo është një nga sfidat kryesore të COP30”.

Raporti i OKB-së tha se ndikimi i rritjes së temperaturave mund të vërehet në shtrirjen e akullit në detin në Arktik, që pas ngrirjes gjatë dimrit të këtij viti, do të jetë më i ulëti i regjistruar ndonjëherë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara gjithashtu përmendi ngjarje të motit ekstreme që ndodhën gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025, nga përmbytjet shkatërruese, te nxehtësia e ashpër dhe zjarret e egra, me “pasoja të rënda për jetën, jetesën dhe sistemet ushqimore”.

SHARE