KUVENDI I SHQIPËRISË MIRATON PROJEKTLIGJIN “PËR BARAZINË GJINORE”, RRËZOHET KËRKESA PËR SHKARKIMIN E BEGAJT

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin “Për barazinë gjinore”, pas debateve dhe reagimeve pro dhe kundër tij.

Projektligji u miratua në seancën e sotme parlamentare pas debateve mes deputetëve të shumicës parlamentare dhe opozitës, me 77 vota pro, 36 kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Me propozimet e reja për ndryshime në projektligj, është përcaktuar se “gjini” nënkupton rolet dhe sjelljet që një shoqëri i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.

Ligji shkaktoi debate gjatë seancës parlamentare dhe jashtë saj, ndërkohë që u kundërshtua nga deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike (PD), pasi, sipas tyre, “qëllimi i tij është shkatërrimi i familjes”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një reagim në rrjetet sociale e ka konsideruar ligjin “një ligj shumë fisnik, plotësisht i përafruar me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin”.

Në seancën e sotme Kuvendi votoi kundër ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Partia Demokratike (PD) dorëzoi më 15 tetor 2025 në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të presidentit Bajram Begaj.

Sipas PD-së, kërkesa është bërë për “shkelje të rënda dhe në mënyrë të vazhdueshme të Kushtetutës së Shqipërisë nga Begaj”.

Ndër shkeljet e Kushtetutës që pretendonte PD-ja janë dekretimi i zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë, dekretimi i ministres virtuale Diella, ndërprerja e mandatit të gjyqtarit kushtetues dhe shkelje të tjera.

SHARE