Foto: Forumi Shqiptar /Facebook/
Në deklaratën e Forumit Shqiptar theksohet se nga nëntë kapitujt që do të përfundojnë me punën e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi deri në fund të këtij viti, pesë janë drejtuar drejtpërdrejt nga ministrat e Forumit Shqiptar.
“Ministri Nik Gjeloshaj, së bashku me ekipin e tij, udhëhoqi procesin e përfundimit të katër kapitujve, ndërsa ministri Marash Dukaj udhëhoqi një kapitull. Këto rezultate përbëjnë një dëshmi të qartë të profesionalizmit, përgjegjshmërisë dhe kompetencës së kuadrove tona në Qeverinë e Malit të Zi, si dhe kontributit të tyre të madh në rrugën evropiane të vendit.“
Forumi Shqiptar thekson rëndësinë e njohjes së këtyre rezultateve nga opinioni publik:
“Këto janë fakte që meritojnë të njihen nga opinioni, sepse pas çdo suksesi qëndrojnë ekipe që kanë punuar me përkushtim për të arritur përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”
Sipas Forumit Shqiptar, angazhimi i tyre do të vazhdojë, ku ndër të tjera në deklaratë thuhet:
“Forumi Shqiptar do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe vendosmëri, me fokus të plotë në integrimet evropiane dhe zbatimin e reformave që çojnë në fuqizimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Qëllimi ynë mbetet i qartë: Mali i Zi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian si një shtet modern, i qëndrueshëm dhe demokratik, ku të gjithë qytetarët kanë mundësi dhe të drejta të barabarta.”
Forumi Shqiptar thekson se mënyra dhe fokusi i veprimit do të përshtaten me rrethanat e reja, por vendosmëria dhe vizioni mbeten të njëjta:
“Mënyra dhe fokusi i veprimit tonë do të jenë absolutisht të ndryshme në të ardhmen, sipas rrethanave të reja që janë vendosur, por me të njëjtën vendosmëri dhe vizion që kontributi i kuadrove tona të jetë i dukshëm, i matshëm dhe i njohur në proceset evropiane.”











