VUKOVIQ: RRITJA E PAGAVE DHE PENSIONEVE NUK DO TË FINANCOHET NGA BORXHI

Rritja e pagave minimale dhe pensioneve nuk do të financohet nga borxhi dhe shteti do t’i financojë të gjitha obligimet aktuale nga të hyrat rrjedhëse, tha ministri i Financave Novica Vukoviq.

“Rritja e pagave minimale dhe pensioneve minimale nuk do të financohet nga borxhi. Në këtë mënyrë dhe duke pasur parasysh angazhimin strategjik të Qeverisë së 44-të, e cila synon përfundimisht përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve të saj, theksoj se nuk do të ketë rritje të normës së përgjithshme të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH),“ tha Vukoviq në Kuvend, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Zdenka Popoviq.

Ai tha se, sipas të dhënave paraprake, nëntë muajt e parë janë karakterizuar me rritje të ndjeshme të të hyrave buxhetore.

Popoviq pyeti se si është gjendja e financave publike pas rritjes së pensioneve minimale dhe si përgjigje për rritjen e pagave minimale në 600 dhe 800 euro.

“Në periudhën e përmendur të hyrat buxhetore janë mbledhur në vlerë prej 2,07 miliardë euro, që është 169,9 milionë euro ose 8,9 për qind më e lartë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, tha Vukoviq.

Sipas tij, situata aktuale financiare në Mal të Zi është stabile dhe e favorshme, dhe karakterizohet kryesisht nga stabiliteti makroekonomik dhe një trend i vazhdueshëm i rritjes në mbledhjen e të hyrave korrente buxhetore, me suficit buxhetor të realizuar për nëntë muaj, në vlerë prej 85 milionë euro ose 1.2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.  

SHARE